Ky nuk eshte vend per vajza!
Nga Rudina Xhunga
Aisha e pa vdekjen në sy.
Policia deklaron që vrasësi i saj është një 80-vjeçar dhe ndoshta ai është. Por tanimë, kur Aisha s’është më, besoj se, kushdoqoftë monstra, nuk do të merret vesh kurrë cili vërtet e vrau Aishën.
Sepse as u mësua, as u dënua kush e vrau Erietën. Qentë e gjetën gruan e gjorë, të copëtuar dhe mbaruan punën që nisi vrasësi. Edhe media i dha një dorë, me botimin e përgojimin e moralit të së vdekurës që s’kishte gojë të përgjigjej.
Po Irena Selin, u gjet kush e vrau? Po Kozetën? Po Aurorën? Asgjë. U harruan. Vetëm nënat i qajnë.
Aisha ishte jetime. Nuk ka as nënë ta qajë. Po bëhej vetë nënë, e vogla. Mbante në bark një jetë 11-javëshe.
E kërcënuan ta hiqte. Nuk e bëri. E vranë që të mos bëhej nënë. E vranë se donte të mbronte beben e vet.
I këputën kokën si zog dhe ia hodhën në një arë me misër.