Vrasja e trefishte e Ajshes
DEBATI I SE DIELES
Kristi Pinderi
Ngjarjet që shoqërojnë vrasjen e 18 vjeçares Ajshe Vata kanë një makabritet të trefishtë.
Makabre është vetë vrasja, mënyra dhe motivet e saj. Prej shumë vjetësh ne dëgjojmë një togfjalësh të tipit: vrasje për motive të dobta. Po të bëni një rifreksim të kujtesës do kujtoni me siguri se disa nga vrasjet më të tmerrshme dhe më makabre janë pikërisht vrasjet për “motive të dobta”. Në legjislacionin shqiptar ka ardhur koha (duke qenë se edhe periudha aktuale deri në dhjetor është periudhë kur priten ndryshime në Kodin penal) që të amendohen disa nene në atë mënyrë që këto vrasje pikërisht se janë “për motive të dobta” të konsiderohen si rrethanë rënduese. Në kodin penal duhet përfshirë për herë të parë edhe koncepti i krimeve për shkak të urrejtjes. Me një amendim të saktë do të kishim kështu një rezultat të dyfishtë të bazuar në ashpërsimin e ligjit që përkthehet troç: dënohesh më shumë në rast se kryen vepra për motive të dobta dhe po ashtu dënohesh më shumë në rast se kryen një krim për motive urrejtje.