NE JEMI FAMILJE

Pas dy viteve të pandemisë , Tirana Pride rikthehet në jetën publike për të kremtuar diversitetin, dashurinë, solidaritetin dhe ndjenjën e përkatësisë, të komunitetit dhe familjes.
Nën mesazhin “Ne jemi familje”, organizatat LGBTIQ+ dhe aleatët, po organizojnë Javën e Krenarisë, e cila kulmon me Paradën e Krenarisë, si aktiviteti thelbësor i kësaj jave në datën 21 Maj, Ora 11:00 te Sheshi Nënë Tereza.
“Ne jemi familje”, si slogani i këtij viti, përçon mesazhe të dashurisë familjare dhe rreket të ndërgjegjësojë mbi rëndësinë e familjes dhe diversitetit të saj.
“Ne jemi familje” sepse komuniteti jonë ndër vite është treguar resilient dhe solidar, duke i ofruar mbështetje njëri tjetrit pavarësisht lidhjeve të gjakut. Familja jonë mbështetet te dashuria dhe pranimi i njëri tjetrit pa kushte.
“Ne jemi familje” sepse familjet LGBT+ janë forma të padiskutueshme të familjes. Pavarësisht sulmeve publike, familjet tona ekzistojnë fuqishëm në realitetin social dhe si të tilla ushqehen nga dashuria dhe përkushtimi për njëri tjetrin, pavarësisht sfidave dhe sakrificave.

Bashkohemi në solidaritet me çdo familje në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, bullizmit, shtypjes, seksizmit, abortit selektiv, presionit psikologjik, dhunës ekonomike dhe çdo forme tjetër të saj.
“Ne jemi familje” sepse familjet duhet të jenë struktura të sigurta, përkrahëse dhe pranuese për çdo person. Familja duhet të jetë sinonim i pranimit, i dashurisë pa kushte dhe mirëqenies psiko-sociale, dhe një ambjent ku të gjithë të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë, pavarësisht dallimeve.
Për këto arsye dhe për shumë të tjera, të shtunën e 21 majit marshojmë në rrugët e Tiranës me ngjyra, për të protestuar kundër shtypjes dhe pabarazive dhe mbi të gjitha për të festuar dashurinë.
Të presim edhe ty, sepse dashuria na përket të gjithëve! Eja, sepse diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë! Eja, sepse ne jemi familje!
Itinerari:
Ora 11:00- Mblidhemi te sheshi Nënë Tereza për të marshuar drejt Kryeministrisë, përgjatë Bulevardit, Parkut Rinia, urës së vogël në Bllok dhe për ta mbyllur matshimin sërish te sheshi Nënë Tereza ku do të mbahet një koncert me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar.