Shqipëri-Kosovë, LGBTQ+ përballë shtetit!

Nga Isa Myzyraj
Qeveria e Shqipërisë propozoi në Kuvend një paketë me ndryshime në Kodin e Familjes, ku për herë të parë në histori parashikohej birësimi nga një person i vetëm.
Pavarësisht se projekt-ligji nuk parashikonte qartasi birësimet nga komuniteti LGBTI+, kryesisht komunitetet fetare e panë se një nismë e tillë do t’u jepte mundësinë komunitetit për birësime, ndaj nisën një fushatë të gjerë kundër këtij projekt-ligji.
Por në mars të 2022 qeveria shqiptare njoftoi se është tërhequr nga ky projekt-ligj.
Tërheqja ndodhi vetëm pak muaj pasi ishin rikthyer për diskutim projektligjet për ndryshimin e kodit të familjes, kodit penal dhe ligjit të birësimit.
Projektligjet që ishin rikthyer për diskutim nga ana e qeverisë shqiptare pas një sërë kërkesash nga ana e komunitetit LGBTI+ priteshin të hynin në fuqi pas ndryshmeve që do të pësonin, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Por pas presionit të vazhdueshëm të, komuniteteve fetare, qeveria shqiptare vendosi që të tërhiqet nga këto ndryshime si dhe nga dy projektligjet që do të sillnin ndryshime të mëdha në kodin e familjes por dhe në atë penal.
Çfarë ishin këto projektligje?
Komuniteti LGBTI+ duke ju referuar ligjeve të birësimit në disa vende anëtare të BE, kërkoi që edhe në Shqipëri të njihej e drejta që çiftet gay apo me preferenca të tjera seksuale të kishin të drejtën e birësimit dhe më pas të regjistrimit të një apo më shumë fëmijëve.
Në këtë projekt, synohej që edhe çiftet e pamartuara të mund të adoptonin fëmijë.
Saktësisht, kërkohej që neni 163 që saktëson termin “mes burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie” të zëvendësohet “mes 2 personave që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”.
Aktualisht në Shqipëri nuk njihet ligjërisht as bashkëjetesa mes çifteve të të njëtit seks, por as birësimi i fëmijëve nga një prind i vetëm.
Në Shqipëri gjithashtu një çift lezbikesh janë në një proces gjyqësor për njohjen e bashkëmëmësisë nga gjykata.
Çështja është refuzuar në shkallën e parë, dhe atë të apelit administrative, ndërsa pritet edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, e më vonë i institucionit më të lartë gjyqësor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Kosova mes gjuhës homofobike, dhe një fjalimi historik.
Në fund të shkurtit të 2022, në Kuvendin e Kosovës u diskutua në lidhje me kodin e ri civil të propozuar.
Projektkodi parashikonte edhe një nen i cili mendohet se të çon drejt martesave të së njëjtës gjini.
E pikërisht kjo gjë ka nxiti debat.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin” Por një gjë të tillë nuk e lejon më poshtë Kodi Civil aktuali, pasi aty specifikohet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Në bazë të projektkodit të ri “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.”
Pra, kodi i ri ende nuk përcakton te se “të gjithë personat kanë të drejtë të martohen” ndërsa termi “bashkësi civile” është i pakuptueshëm!
Pro dhe kundër!
Aktivisti Blert Morina tha se beson dhe mendon se ka argumente të mjaftueshme se projektkodi i propozuar është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Një kod civil ne kemi kundërshtimet tona, pasi besojmë fuqishëm se nuk është në përputhje me kushtetutën e republikës së Kosovës pasi Kushtetuta e thotë qartë se gjithkush ka të drejtë të lidhë martesë, dhe martesa lidhet mes dy personave pa specifikuar gjininë.”-tha ai.
Edhe Marigona Shabiu, nga Iniciativa për të Drejtat e të Rinjve thotë se drafkodi duket të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës duke mos i mohuar martesën asnjë personi.
Ajo u shpreh aso kohe se duan që Draftkodi Civil për martesat të ishte në përputhje me kushtetutën, duke përfshirë martesat e së njëjtës gjini.
”Një nen ku përcaktohet ose përkufizohet martesa, martesa përkufizohet mes personave që u takojnë sekseve të ndryshme”.
”Një nen tjetër, në po të njëjtin paragraf, përcakton që bashkësitë civile do të rregullohen me ligj të veçantë për personat e sekseve të njëjta, që planifikojnë të hyjnë në një marrëdhënie të tillë”.
”Ajo çka kërkojmë ne është se Draftkodi Civil të jetë në përputhje me kushtetutën. Pra, të jetë gjithëpërfshirës, të përfshijë martesat edhe mes personave të gjinisë së njëjtë”.
”Të ketë barazi në martesë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim të orientimeve seksuale. Sepse Draftkodi Civil aktual e bën një diskriminim të tillë”
Neni i ri është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje! E cila është në pushtet dhe ka shumicën e thjeshtë parlamentare.
Por, këtë projektkod nuk e kanë mirëpritur Bashkësitë fetare në Kosovë të cilat njëzëri kanë kundërshtuar këtë nen të propozuar.
Në lidhje me reagimin e komuniteteve fetare aktivisti Lend Mustafa ka shkruar në facebook se “ Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë.”
Blert Morina tha se Kosova është një shtet laik dhe nuk mund të lejohet që të ndërhyhet nga fetë!
“ Më është bërë qejfi se për herë të parë Bashkësitë fetare janë bërë bashke, por isha gëzu me I pa bashkë për çështje të tjera sociale, siç janë vrasja e grave, mënyra e jetesës e personave rom, ashkali, egjiptianë, jo me I pa në këtë mënyrë të shëmatuar me i cënu të drejtat një komuniteti. Kosova ka zgjedh rrugës e saj, ne jemi një shtet laik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë se librat fetarë të rregullojnë jetesën e personave në Kosovë. Unë shqetësohem se ende nga institucionet e Kosovës nuk ka një deklaratë për të dënuar gjuhën e këtyre komuniteteve”-tha Morina.
Por në një seancë të tensionuar, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi Kodin Civil.
Nga 61 deputetë sa kanë votuar, pro ishin 28, kundër 29 dhe 4 kanë abstenuar.
Gjatë diskutimeve në Kuvend deputetët përdorën jë gjuhë të rëndë homofobike, ndërsa debate është shoqëruar me debate të shumta.
Deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi, është deklaruar kundër miratimit të kodit të ri civil, për shkak të dispozitës që lejon regjistrimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë. Ajo ka përdorur fjalë të rënda ndaj komunitetit LGBT, për çka I reagoi edhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Ajo tha se me votën kundër synon “të mbrojë moralin publik” derisa tha se korniza ligjore në Kosovë nuk e pengon një çift të gjinisë së njëjtë që të bashkëjetojë.
“Kjo çështje ka nxitur edhe reagimin e bashkësive fetare, reagim të cilin e përshëndes. Nuk mund të themi se një parti e caktuar politike ka të drejtën e mendimeve brenda Grupit Parlamentar dhe se pozita unanimisht duhet të votojë në mënyrën e veçantë. Personalisht nuk kam provuar dhe as do të provoja kurrë të ndikoj në mendimin e dikujt tjetër sikur nuk ka provuar dhe ndikuar askush në mendimin tim. Pra, kjo është arsyeja se pse kërkesa për zyrtarizmin e lidhjes së çifteve të tilla me martesë e bashkësi civile merr dimension tjetër shoqëror, universal pasi që nuk mund të lejohet bashkësia apo të pengohet. Arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik”.-tha ajo.
Më tej në fjalën e saj deputetja e cila është besimtare muslimane dhe e mbuluar me shami, shpifi hapur teksa tha se: “Arsyeja e dytë, pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e shëndetit publik, kjo për shkak të të dhënave të pakontestueshme shkencore se martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut.
Por ndryshe nga shumë deputetë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbajti një fjalim historik për komunitetin LGBTI+.
Kurti doli hapur pro bashkësisë civile mes personave të gjinisë së njëjtë ndërsa tha se: “Unë nuk besoj që duhet t’i meritojmë të drejtat. Të drejtat na takojnë. I takojnë gjithsecilit. Edhe atij që nuk është sikur unë. Nuk ka kuptim që të drejtat t’i takojnë vetëm atij që është sikur unë”, tha Kurti.
Me tej në fjalën e tij, Kurti u ndal tek ana personale, teksa tha se: si kryeministër dhe si kryetar i subjektit më të madh në Kosovë, unë besoj në të drejtat e njeriut. Unë besoj që të drejtat nuk duhet t’i meritojmë. Të drejtat burojnë nga qenia. Të mirat vijnë nga puna, të drejtat burojnë nga qenia. Me vetë faktin që je njeri, ke të drejta. Jemi të ndryshëm- disa janë më shumë të ndryshëm – por të gjithë jemi njerëz. Dhe unë besoj në të drejtat e njeriut.”
Në një shoqëri e cila konsiderohet konservatore, ky qëndim i hapur i Albin Kurtit mund të konsiderohet historik, pasi jo vetëm nuk e ka bërë pothuasje asnjë politikan shqiptar, por të qënurit në rolin e kryeministrit të Kosovës dhe drejtues i subjektit politik më të madh atje, e bën atë të pakrahasueshëm me politikanët e tjerë.
Kryeministri Albin Kurti premtoj në qershorin e 2023 se do të rikthejë në kuvend projektligjin!
Dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile .
Edhe pse me anë të këtij Projektkodi nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.
Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.
Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë./ HistoriaIme