Kujtimet e Klajdit (13)
Dy javë pasi kam filluar punën si kamerier marr rrogën e parë e bashkë me gjithë bakshishet e atyre ditëve ble një palë pantallona të shtrenjta, 3 vëllimet e “Sagës së Forsajtëve” dhe paketën e parë të cigareve.
Para se të shkoj në turnin e dytë, i dal përballë time mëje me cigare në dorë dhe i them se tani nuk ka pse t’u marrë erë fshehurazi rrobave të mia, sepse unë e pi cigaren dhe nuk kam ndërmend ta pi më fshehurazi. Nuk di në i dukem asaj më i rritur apo më budalla, por dëgjoj të më thotë: “Mos e pi jashtë në rrugë bir, pije në shtëpi më mirë…”