Kujtimet e Klajdit (18)
Unë pija cigare me nënoçkën, dëgjoja nga ajo histori që s’kishin asnjëherë fund, i bëja kafenë e pastaj e pinim bashkë, qëndronim te ballkoni ynë dhe flisnim për gjithçka.
Ne e kuptojmë sa shumë nevojë kemi për ajrin atëherë kur na sëmur tymi dhe pluhuri. Kërkojmë të kemi një det të pastër atëherë kur ndonjë anije-çisternë hedh si pa dashje tonelata naftë që rrafshojnë çdo specie nën det e na e sjell befas naftën në breg. Kuptojmë sa rëndësi ka shëndeti, jo atëherë kur në qoka dasmash e ditëlindjesh urojmë shëndet të mbarë, po kur doktori na jep një lajm të keq… Po atëherë kuptojmë se kemi edhe një trup.