Këtyre ditëve është njoftuar eventi më i ri i Festivalit të Filmit. Bëhet fjalë për një seri filmash dhe eventesh që tentojnë të sjellin një hapësirë të re kulturore në Tiranë. Nën titullin “Queer Film Days”, programacioni i këtyre aktiviteteve kërkon të nxjerrë në pah të padukshmen, jetët e fshehura dhe vështirësinë e pranimit të vetes dhe të të tjerëve në shoqëri.
Aktivitetet e javës së filmit do të fillojnë nisur prej 18 shtatorit, deri në 22 shtator.

Java e filmit Queer ka ardhur si nismë e organizatës “Open Mind Spectrum Albania”, e drejtuar nga aktivisti i të drejtave të komunitetit LGBTI+ Arbër Kodra, në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës, delegacionin europian, etj,. Nëpërmjet këtij projekti, synohet fuqizimi dhe kreativiteti në fusha të ndryshme të artit, si prej studentëve, artistëve apo aktivistëve me qëllim advokimin e të drejtave të komunitetit LGBTI + dhe barazinë gjinore.
Mjedise të tilla përveçse ofrimit të këndvështrimit ndryshe dhe nxitjen e mendimit kritik në lidhje me hapësirën ku jetojmë, në anën tjetër mund të përdoren më së miri si mjedise “të sigurta” në ndihmë të shprehjes së subjektivitetit njerëzor, po aq sa dhe në njohjen dhe bashkëshoqërimin me të singjashmit tanë. /l.k/
